Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, në koordinatat gjeografike: 39 16' gjatësi dhe 42 39' gjerësi. Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km2. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km; nga të cilat: 657 km vijë kufitare tokësore , 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Republika e Shqipërisë kufizohet në veri nga Mal i Zi, në veri-lindje nga Kosova, në lindje me Maqedoninë, dhe në jug dhe jug-lindje ajo kufizohet me Greqinë.
Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Lartësia mesatare është 708 m, dmth. dy herë më e madhe se ajo e Evropës. Shqipëria përfshihet në zonën sub-tropikale me lagështirë të Hemisferës Veriore, dhe në zonën me klime mesdhetare. Kromi, hekur-nikeli, bakri, qymyrguri, nafta dhe gazi janë disa nga mineralet nëntokësore më të rëndësishme që gjenden në Shqipëri.
Klima
Në zonat bregdetare: Mesdhetare mesatare, dimër i butë dhe i lagësht, verë e nxehtë dhe e thatë.
Në zonat malore: mesatare Kontinentale, dimër i ftohtë dhe i ashpër, verë e lagësht.
Relievi
Fushor (në Shqipërinë Perëndimore), Pllajor (në Shqipërinë Lindore).
Malor (në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore); Maja më e lartë: Mali i Korabit (2,753 m).
Vija Bregdetare
362 kilometra.
Popullsia
3,364,571 (Qershor 1999), 95% Shqiptare, 3% Greke dhe 2% të tjerë,
Shkalla e rritjes së popullsisë: 1,05% (1999).
Kryeqyteti
Tirana (nga viti 1920).
Gjuha zyrtare
Shqipja.
Gjuha shqipe është një gjuhë indo-evropiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë të erës sonë. Emri "Shqipëri" zëvendësoi emrin e "vjetër", "Arbëri" (ose Arbani) në fund të shekullit XVII, për shkak të kushteve të reja historike të krijuara në ketë periudhë. Ky emër kishte për qëllim t’i jepte rëndësi lidhjes ndërmjet emrit të vendit dhe gjuhës, e cila në atë kohë quhej "Shqip". Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës bashkëkohore shqipe i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare "Meshari" (Gjon Buzuku) u botua më 1555, dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare: "Gegërisht", dmth. gjuha e folur në Veri të Shqipërisë dhe "Toskërisht", dmth. gjuha e folur në Jug të Shqipërisë.
Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit më 1908. Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu dhe në disa pjesë të populluara nga shqiptarë si Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni.
Festa Kombëtare
28 nëntor (Dita e Flamurit).
Flamuri
Flamuri kombëtar i Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë me dy kokë dhe me krahë të hapura, të vendosur në qendër të një sfondi të kuq.
Pasuritë Natyrore
Pasuri nëntokësore (Nafte, gaz natyror, krom, qymyrguri, hekur-nikel, xeherorë, mermer); Burime të konsiderueshme hidrike; Zona të konsiderueshme me pyje dhe kullota (rreth 38% e territorit të vendit). Burime të pashfrytëzuara në fushat e Turizmit Blu, të Gjelbër dhe të Bardhë.
TURIZMI
Shqipëria dëshiron të zhvillojë industrinë e turizmit, e cila siguron punësim dhe përfitime ekonomike. Turizmi cilësor është i rëndësishëm për Shqipërinë. Natyra dhe ekologjia e vendit do të lejojë zhvillimin e mundshëm të të gjitha llojeve të turizmit, veçanërisht zhvillimin e turizmit të mesëm, të lartë dhe elitar.
ZONAT PRIORITARE TË TURIZMIT. Ka dy zona kryesore për zhvillimin e turizmit: ZONA BREGDETARE, kryesisht zona midis Velipojës në veri dhe Karavastasë në qendër dhe zona nga Gjiri i Vlorës dhe bregdeti jonian deri në kufirin grek në jug. ZONA E BRENDSHME, kryesisht zonat pranë liqeneve dhe lumenjve. Projektet në këto zona monitorohen nga Ministria e Turizmit dhe e Rregullimit të Territorit. Sipas strategjisë së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, parashikohet që të shtohen rreth 100 000 shtretër deri në vitin 2010.
Idetë për Investime
- Peshkimi dhe Gjuetia.
- Qendrat kulturore për festivale muzike dhe folklorike.
- Zonat turistike, hotelet, fshatrat turistike dhe qendrat e konferencave.
- Qendrat e kampingjeve në zonat malore.
- Vizitat në zonat arkeologjike.
- Mundësitë për të udhëtuar me anije dhe jahte.
- Qendra golfi dhe tenisi.
- Krijimi i zonave turistike malore dhe pranë liqeneve, veçanërisht në zonën perëndimore dhe jugore të vendit.
Gjatë viteve të ardhshme do të zhvillohet një infrastrukturë e përshtatshme në bashkëpunim me investitorët.
Në afërsi të Vlorës ndodhet një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Bregdeti Llogara-Qeparo ka një plazh të pastër, ujë të pastër si dhe male e pemë ullinjsh në afërsi të tyre. Pas zhvillimit, në këtë zonë mund të pushojnë 6 150 persona, pa përfshirë këtu vizitorët e ditës. Rreth 4 650 persona mund të qëndrojnë në komplekset e akomodimit dhe të tjerët në hotele më të vogla. Komplekset e hoteleve në Palasë do të kenë 1 300 dhoma, ndërsa në Dhërmi rreth 300 të tilla. Në zonën e Jalës dhe Vunoit do të ketë 210 dhoma, ndërsa në Himarë 350.
Në zonën e Qeparosë do të ketë 320 dhoma, por menaxherët planifikojnë një kalim gradual të turizmit sipas kërkesave të banorëve. Projekti do të ketë edhe mundësi të tjera për turistët krahas banjos së diellit dhe notit në plazh. Turistët do të kenë mundësi të vizitojnë fshatrat përreth, të provojnë gatimet dhe pijet karakteristike në restorante. Në zonat si Palasa, Dhërmiu, Ilias, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi dhe Qeparoja do të ketë mundësi më të mira akomodimi. Në procesin e ndërtimit të strukturave të plota turistike përfshi këtu edhe zhvillimin e qendrave të golfit, tenisit, diskove, pishinave dhe kazinove parashikohet edhe rindërtimi i portit të Himarës me një kosto minimale prej të paktën 1-2 milionë dollarësh, ku do të ankorohen anije të mëdha. Alternativa tjetër për të shkuar në Himarë do të jetë nga ajri, nëpërmjet ndërtimit të aeroporteve në Sarandë, Vlorë apo Gjirokastër. Zona është e pasur me ullinj, portokalle, mjaltë dhe burime natyrore. Në të njëjtën kohë, natyra e mrekullueshme, flora dhe fauna krijojnë bazat për zhvillimin e turizmit në veri të Shqipërisë. Thethi, Lura, liqenet, Alpet, veçanërisht fshati Valbonë, në rrethin e Tropojës, si dhe një sërë vendesh piktoreske janë shumë tërheqëse për turistët.
ZONAT MË TË RËNDËSISHME ARKEOLOGJIKE:
BUTRINTI. Një rrugë e ngushtë e këndshme me pamje nga deti të çon drejt Butrintit përmes plantacioneve të ullinjve dhe pemëve të portokalleve. Butrinti ndodhet 15 kilometra në jug të Sarandës. Qyteti i lashtë i Butrintit, i shpallur nga UNESKO pasuri ndërkombëtare, banohej në kohët e hershme nga ilirët. Qyteti i lashtë i Butrintit preferohet të vizitohet si qendër arkeologjike, ku antikiteti dhe bukuria ndërthuren me njëra-tjetra. Gërmimet arkeologjike tregojnë se Butrinti ka qenë një zonë e rëndësishme e kaonëve ilirë, një ndër fiset më të mëdha të Ilirisë. Sipas zbulimeve të bëra në këtë zonë, është vërtetuar se zona ishte populluar që në periudhën paleolitike. Në shekullin e gjashtë para Krishtit grekët e Korfuzit u vendosën në këtë zonë, krahas ilirëve dhe kolonia e re eci përpara si rezultat i tregtisë. Në shekullin e pestë para Krishtit, Butrinti ishte një qytet i fortifikuar. Në shekullin e katërt ra nën sundimin e Epirit, ndërsa në vitit 167 para Krishtit ra nën regjimin romak. Në shekullin e dhjetë ai ishte selia e një kishe bizantine. Butrinti u mor nga normanët në shekullin e 11-të dhe i kaloi Venedikut nga viti 1690 deri në vitin 1797 kur u mor nga Ali Pashë Tepelena. Me rënien e Pashallëkut të Janinës në vitin 1822, Butrinti i kaloi regjimit osman deri në vitin 1913. Disa gërmime që datojnë në shekullin e parë dhe të katërt pas Krishtit mund të vizitohen tashmë mes të cilëve; amfiteatri i vjetër, tempulli i Asklepios apo Asekulapius, muret e qytetit të vjetër, Baptisteri, Nymfaeumi, etj.
APOLLONIA. Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apollonia u zbulua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Por, gjurmët e para të pranisë së tyre në këtë vend i përkasin vitit 588. Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, Apollonia ruajti kontaktet me Korintin dhe Korkyrën si dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aos (Vjosë). Me interes të madh këtu janë muri rrethues, monumenti i Agonetit, Biblioteka, Odeoni, Portiku, shtëpia e mozaikëve, muzeu i Apollonisë, Kisha e Shën Mërisë. Fatkeqësisht, disa nga objektet arkeologjike dhe statujat u përvetësuan nga vendet e tjera para vitit 1945. Ato që kanë mbetur janë vendosur në një muze që ndodhet në një manastir të shekullit 13-të. Në kopshtin e manastirit ndodhet edhe një kishë që i përket shekullit te 14-të. Të huajve që janë të interesuar për kërkime arkeologjike në Shqipëri u duhet shumë më tepër kohë për të eksploruar gjurmët e hershme të popullimit të territoreve shqiptare, që janë zbuluar në Arë të Sarandës dhe Gajtan të Shkodrës, që i përkasin periudhës se paleolitit, 100 000 vjet më parë, ndërsa në periudhën e Neolitit 7 000-3 000 vjet para Krishtit përfshihen zbulimet në Dunavec dhe Maliq të Korçës. Zona të tjera arkeologjike që mund të vizitohen në Shqipëri janë: Amantia, Bylisi, Antigonea, Albanopoli, Selca e Poshtme, Lisi.
AMANTIA. Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e 4-t para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e 3-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.
BYLIS. Ishte qendra e fisit ilir, Bylis dhe një nga qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire të zhvilluara gjatë shekullit të 4-t para Krishtit. Gjatë shekullit të 3-të para Krishtit u ndërtua teatri, stadiumi etj. Në shekullin e parë pas Krishtit u bë koloni romake, ndërsa gjatë shekullit të pestë dhe të gjashtë u bë qendër dioqeze, që u vërtetua nga zbulimi i gjashtë bazilikave dyshemetë e të cilave kanë mozaikë me motive romake.
ANTIGONEA është një qytet i zbuluar në shekullin e 3-të para Krishtit.
ALBANOPOLI. Ndodhet në një kodër në afërsi të fshatit Zgërdhesh të Krujës. Qyteti ishte qendra e fisit ilir, albanët, që jetuan aty në shekullin e dytë dhe të tretë pas Krishtit. Nga emri i këtij fisi ilir vjen edhe emri i vendit, Shqipëri.
SELCA E POSHTME. Rrënoja të qyteteve ilire të shekullit të 4-t dhe të 3-të. Në fillim të shekullit të 3-të para Krishtit, ajo u bë qendra e rajonit të Ilirisë, Dasaretias.
LISI. Një qytet i themeluar në shekullin e 4-t para Krishtit. Muret e tij rrethues gjatë shekullit të 3-të dhe të 2-të P.K e ndanin atë në tre zona Akropoli, Qendra dhe Periferia e qytetit, të cilat shtriheshin përgjatë lumit Drin. Muret e tij, 12 portat dhe kullat e shumta janë të ruajtura mjaft mirë.