Kryetari i Partisë Demokratike falenderon qytetarët në mbarë vendin që iu përgjigjen thirrjes së opozitës për protesta kundër cmimit më të shtrenjtë të karburantit në rajon e në Europë. Basha paralajmëron protesta të tjera masive, nëse qeveria nuk tërhiqet nga taksat e larta, e nëse nuk mban premtimin për cmimin e energjisë.
Dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë anë e
mbanë vendit, në Sarandë, në Vlorë, në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në
Lezhë, në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan, në Dibër, në Kukës,
në Gjirokastër, në Berat, e kudo, në akset kombëtare, që iu përgjigjën
thirrjes së Partisë Demokratike, për të protestuar në mënyrë qytetare,
duke fikur makinat e tyre sot në orën 11:00, në shenjë proteste dhe
refuzimi të qeverisë Rama-Meta, e cila, me taksat e saj, që arrijnë 1008
lekë për cdo litër karburanti, ia ka dalë ta kthejë Shqipërinë në
vendin lider të çmimit të karburantit në Ballkan, në Europë dhe me
gjerë, për një popull, të ardhurat mesatare të të cilit, janë tre herë
më të vogla se të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian.
Taksa e naftës, që përkthehet në çmimin e
lartë të naftës, u merr shqiptarëve dy herë më shumë si mesatare të të
ardhurave, se sa ç’ju merr europianëve, dhe kjo është taksa Rama, kjo
është taksa e papërgjegjshmërisë, e arbitraritetit, e padrejtësisë dhe e
klientelizmit që kanë instaluar në pushtet dyshja Rama-Meta. Eshtë
taksa që prek drejtpërdrejt bukën e fëmijëve të shqiptarëve, prek
drejtpërdrejt koston e transportit publik dhe privat, shkatërron në
themel perspektivën e daljes nga kriza ekonomike ku e kanë futur
vendin.
E sotmja është dita e parë e pranverës
së protestave për shqiptarët të cilët refuzojnë dhe nuk pranojnë më të
nëpërkëmben, të shpërfillen, të trajtohen si skllevër të një qeverie që e
ka mendjen si e si të mbushë çantat e saj dhe thesarin e saj me lekët
që merr nga xhepat e shqiptarve duke futur duart thellë e më thellë dhe
në shumë raste duke u marrë edhe kacidhen e fundit. Ndaj, duke përgëzuar
nga zemra të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë
protestë, mendoj se e sotmja është një ditë historike. Eshtë dita e
protestës qytetare që nuk bëhet për pushtetin e askujt por bëhet për të
drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve për një qeverisje të ndershme,
transparente dhe të përgjegjshme. Eshtë hapi ynë i parë, të tjerë hapa
do të pasojnë për ta vënë këtë qeverisje oligarkike, që e trajton
shqiptarin si sklllav, si objekt të qeverisjes dhe jo si Sovran, para
përgjegjësisë ose për t’i treguar vendin.
-Z Basha, a është e efektshme vetëm një protestë kundër qeverisë?
Ky është hapi i parë për taksën e
karburantit, por është po kështu nisja e protestave për thyerjen e
premtimit për uljen e energjisë kur në fakt çmimi i energjisë u rrit.
Për thyerjen e premtimit për më shumë vende pune, kur mijëra shqiptarë
flaken në rrugë sepse vendet e punës jo vetëm që nuk janë hapur por
vendet ekzistuese janë mbyllur dhe kërcënojnë të mbyllen. Eshtë fillimi i
protestave popullore masive për kërbaçin që po u tregohet shqiptarëve
në mënyrë selektive dhe diskriminuese në çështje të tilla si ndërtimet
pa leje, kur ndërtimet dhe sarajet e pushtetarëve ngrihen, ndërsa
fukarenjtë goditen në pasurinë që kanë vendosur me gjak dhe me djersë,
shpesh herë në kushte të vështira. Eshtë protesta për padrejtësitë e
mëdha, që Qamil Zelën e trajton si kriminel dhe e lë të vetëvritet në
burg për 35 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që deputetët dhe bandidët e
OSHEE-së, debitorë deri në 205 milionë lekë, gradohen dhe trajtohen si
VIP-a nga dyshja Rama-Meta.
Pra është nisja e protestave kundër
padrejtësisë që kjo qeveri ka ngritur në themel dhe që promovon bandat,
krimin dhe korrupsionin dhe ka harruar qëllimin themelor të qeverisjes
që është shërbimi ndaj qytetarëve. Ndaj unë edhe njëherë, përshëndes të
gjithë qytetarët shqiptarë që u bashkuan në protestë, edhe ata që nuk
janë votues të Partisë Demokratike, sepse vetëm përmes bashkimit, forcës
së bashkimit të zërit tonë, ne do ta ndalim këtë të keqe. Dhe jam i
bindur që do tia dalim. Bashkë me gjithë shqiptarët.
-Sa të efektshme do të jetë këto protesta pasi buxheti dhe paketa fiskale janë miratuar ndërkohë?
Buxheti nuk është i paprekshëm. Qeveria
nuk është e paprekshme. Thirrja jonë është që menjëherë të reflektohet
kërkesa e qytetarëve për uljen e taksës së qarkullimit. Menjëherë të
rikthehet çmimi i energjisë aty ku ishte dhe të plotësohet premtimi
elektoral për ulje të çmimit të energjisë me 16% ashtu siç u premtua në
fushatë. Nëse këto thirrje nuk reflektohen protestat tona do të
vazhdojnë, jo vetëm në ndryshimin e buxhetit por deri në ndryshimin e
qeverisë. - RD - Rilindja Demokratike -